Gjuha:
Kėrko: 
 FAQJA KRYESORE
 QYTETI
 BASHKIA
 SHĖRBIME
 URBANISTIKA
 EKONOMIA
 INFORMACIONE
 KONTAKT
 GALERI

Valid XHTML 1.0 Transitional CSS Valido!

SHFAQJA PARAPRAKE E GALERISE
         

Tė dashur qytetarė tė Shijakut


Për çdo njeri, që  të ardhmen e tij e ka lidhur me qytetin ku është lindur e rritur, detyra e kreut të bashkisë është pa dyshim një nga momentet më të rëndësishme dhe më emocionale të jetës së tij.
Bashkëqytetarët e mi më njohin mirë dhe unë ndihem shumë  i nderuar që jam biri i këtij qyteti, të cilit jam munduar t’i jap sa më shumë nga vetja, por që sigurisht kam marrë shumë më tepër prej tij. Është pikërisht kjo marrëdhënie e ngushtë që më bën të ndihem i obliguar për t’i dhënë qytetit tim alternativën që ai meriton, të ardhmen evropiane që atij i duhet.
Si kryetari i Bashkisë së Shijakut kam përgjegjësi maksimale ndaj cdo qytetari dhe do të jem i fokusuar në politikat prioritare të zhvillimit të qytetit. Hartimi dhe miratimi i planit rregullues, zhvillimi i infrastrukturës, punësimi dhe strehimi do të jenë pikat kyçe në të cilat do të orientohet e gjithë puna ime.
E ardhmja evropiane e Shijakut është sot më shumë se kurrë në duart tona dhe ne do të dimë me energjinë që na karakterizon, t’i japim asaj drejtimin e duhur.
Në punën time si kryetar i Bashkisë së Shijakut do të punoj së bashku me bashkëqytetarët e mi në moton “Bashkë për Shijakun tonë” për të realizuar gjatë këtij mandati:

Më shumë zhvillim ekonomik dhe punësim
Më shumë kujdes social dhe për familjen
Më shumë vëmendje për rininë dhe sportin
Më shumë investime për infrastrukturën

Zhvillimi ekonomik i qytetit do të shikohet si drejtim që nxit punësimin afatgjatë dhe afatshkurtër të qytetarëve. Do të shfrytëzohet afërsia me qytetin e Durrësit për thithjen e potencialit turistik por edhe krijimi i oportuniteteve të biznesit në Shijak. Do të nxiten investimet duke shfrytëzuar asetet publike dhe private dhe kapitalet e pashfrytëzuara të qytetarëve të Shijakut. Shijaku duhet të ndryshojë mentalitetin nga një qytet xhep (larg zhvilimit) në një qytet që ka oportunitetin e të qenurit përbri 2 poleve më të rëndësishme të zhvilimit në Shqipëri (Tiranës dhe Durrësit). Zhvillimi tregon që qytetet në afërsi të metropoleve të mëdha mund të përfitojnë mundësi të mëdha zhvillimi. Kjo nëpërmjet rivlerësimit të pronave dhe trojeve, afërsisë me tregjet e qyteteve të mëdha, mundësisë të lëvrimit të kapitaleve dhe rivitalizimit të aftësive për punë të banorëve të Shijakut.

Kujdesi social dhe ndaj familjes do të jenë prioritet i vecantë në punën tonë në bashki. Familjet dhe banorët më në nevojë të Shijakut meritojnë vëmendjen maksimale të bashkisë. Projektet të cilat së bashku do ti realizojmë janë shprehja e dëshirës për të zgjidhur problemet më aktuale dhe puna për të ardhmen e këtyre familjeve. Shijaku ka në traditën e tij të hershme qytetare kujdesin dhe solidarizimin me njerëzit në nevojë.

Shijaku tradicionalisht është njohur si qyteti me një rini aktive dhe zhvillim të sportit. Këto do të jenë prioritet absolut i punës time në 4 vitet e ardhshme duke qenë se vetë jam pjesë e komunitetit të sportistëve të qytetit tim dhe qëllimi im është të rikthejmë ditët e lavdishme për sportin dhe sportistët e Shijakut.

Në fushën e investimeve në infrastrukturë do të kemi investime në projektet prioritare, të cilat janë edhe në Planin e Zhvillimit të Shijakut që është punuar me ndihmën e donatorëve të huaj si Këshilli i Evropës dhe OSBE-ja.

Shijaku nuk duhet të jetë vetëm ambicia dhe egoja jonë krenare, por duhet të kthehet në një realitet krenar. Të vazhdojmë të ndërtojmë të ardhmen dhe të nxjerrim në pah të gjitha vlerat e qytetit tonë, të së shkuarës dhe të së tashmes për të ndërtuar të ardhmen evropiane dhe për ta bërë këtë, do të punojmë të gjithë së bashku.


INDRIT  BUKA